TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot, në Ditën Botërore të Diabetit, se me buxhetin 2023 fishat e diabetit do të jenë falas për të moshuarit mbi 65 vjeç.
Manastirliu theksoi se “me dhënien e fishave të diabetit falas për të moshuarit mbi 65 vjeç do t’i kursejmë gjysheve dhe gjyshërve të paktën 1 pension mujor në vit”.
Ky vendim vjen pas atij të rimbursimit të fishave të diabetit për fëmijët dhe të rinjtë deri në 25 vjeç.
Procedura e rimbursimit të fishave për matjen e glicemisë fillon tek mjeku i familjes, ku pacienti tërheq formularin për rimbursim dhe më pas paraqitet në farmacitë e rimbursimit, të cilat ndodhen në çdo spital rajonal dhe në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë.
14 Nëntori njihet ndryshe si Dita Botërore e Diabetit.
Çdo 14 nëntor, në Ditën Botërore të Diabetit, të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin. 14 Nëntori është caktuar si Dita Botërore e Diabetit për nder të ditëlindjes së Frederik Banting, i cili së bashku me Charles Best, të dy shkencëtarë kanadezë, arritën të izolojnë nga pankreasi i qenit insulinën, e cila ndryshoi dhe shpëtoi jetën e diabetikëve në mbarë botën.
/k.s/r.e/













