Ballina Flash

Rama: Puka e sistemuar, mirëpret turistët dimër e behar

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Investimet publike në Pukë e kanë shndërruar këtë qytet në një qendër urbane moderne, me standarde dhe vlera të një atraksioni të veçantë turistik për resurset dhe pozicionin gjeografik ku gjendet.

Kryeministri Edi Rama ndau sot përmes rrjeteve sociale pamje nga Puka e sistemuar bukur për të mirëpritur turistët dimër e behar, të cilën e cilësoi “një perlë në mes të veriut”.

Janë një sërë investimesh që kanë transformuar qytetin në verilindje të vendit nisur nga  rikonstruksioni i plotë të rrugëve lidhëse me spitalin, fasadat e objekteve pranë sheshit të bashkisë, si dhe krijimi i hapësirave rekreative rreth liqenit.

Gjithashtu punime janë kryer edhe në parkun para ish-Hotel Turizmit të qytetit.

Projekti për “Rikualifikimin Urban në Bashkinë Pukë – Faza e Dytë”, u financua nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës nëpërmjet programit “Punët në Komunitet IV, Zhvillimi i Alpeve shqiptare dhe zonës bregdetare” që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Ky projekt vjen menjëherë pas përfundimit të fazës së I-rë të rikualifikimit urban Pukë, që e ktheu vëmendjen e opinionit në qytezën alpine duke e kthyer atë në një destinacion turistik për t’u zbuluar./m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Demokratët mbajnë kontrollin e Senatit pas fitoreve në Nevada dhe Arizona
Artikulli tjetërVIETNAM – Scholz bisedime për thellimin e partneriteteve me vendet aziatike