TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot pas protestës së mbajtur nga opozita përpara Kryeministrisë.
Balla u shpreh se, “Aleanca e Rublave është përditë e më e lexueshme, çdo ditë e më e tërbuar, prej sonte edhe më e dëshpëruar!”.
“Rublat vazhdojnë të financojnë aleancën, njëlloj si në 2011 kur dhanë votën kundër Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe pro Rezolutës famëkeqe të shkruar në Kremlin, që lemerisi botën me gjoja trajtime çnjerëzore dhe trafiqe organesh nga UÇK!”, theksoi Balla në një reagim në rrjetet sociale.
“Opozita e rublave është e zhytur aq thellë në thesin e parave ruse. Porosia për sot nga Moska ishte që të mos kishte asnjë fjalë apo zë kundër agresionit rus në Ukrainë. Dhe bedelat e Putinit në Tiranë e zbatuan. Turp!”, u shpreh Balla.












