Ballina Aktualitet

Gjekmarkaj: Greqia, mbështetje të vazhdueshme integrimit tonë evropian

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, në datat 10-11 nëntor zhvilloi një vizitë zyrtare në parlamentin e Greqisë.

Gjatë kësaj vizite, zëvendëskryetari Gjekmarkaj, u takua me zëvendëskryetarin e parlamentit të Greqisë, Charalampos Athanasiou, zëvendëskryetarin e Komisionit të Përhershëm të Mbrojtjes Kombëtare dhe Punëve të Jashtme, Anastasios Dimoschakis, dhe anëtarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë, Konstantinos Barkas.

Në takime ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.

Zëvendëskryetari Gjekmarkaj vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe shprehu vullnetin e Shqipërisë për të avancuar progresin e arritur deri tani në marrëdhëniet dypalëshe dhe vijimin e tyre në frymën e miqësisë, të interesave tona të përbashkëta, partneritetit të ngushtë në NATO dhe të ardhmes së përbashkët evropiane.

Gjekmarkaj shprehu mirënjohjen ndaj Greqisë për mbështetjen e vazhdueshme të integrimit evropian të Shqipërisë dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë procesit të negociatave.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik-tregtar dhe investimet direkte greke në Shqipëri, Gjekmarkaj vuri në dukje  vullnetin e Shqipërisë të nxitur praninë e investimeve greke në sektorët strategjikë si energji, energji e rinovueshme, turizëm, transport, infrastrukturë, bujqësi etj.

Zëvendëskryetari Gjekmarkaj theksoi se, minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi shërbejnë si ura të miqësisë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Zgjerimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar, shkëmbimi i vizitave të komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe vizitat e nivelit të lartë, nënvizoi Gjekmarkaj po shërbejnë si nxitës i bashkëpunimit dypalësh.

Drejtuesit e lartë të parlamentit të Greqisë nënvizuan prioritetin e Greqisë në forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, në frymën e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve.

Zëvendëskryetari i parlamentit, Charalampos Athanasiou, vuri në dukje se, Greqia do të vijojë të mbështesë fuqimisht integrimin evropian të Shqipërisë.

Bashkëpunimi mes dy vendeve vjen duke u fuqizuar dhe shkëmbimet ekonomike e tregtare po njohin rritje.

Dy vendet tona kanë treguar një model shumë të mirë bashkëpunimi dhe besim në institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjeve mes tyre dhe duhet të shfrytëzojmë këtë momentum mirëkuptimi për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe.

Greqia vlerëson përmirësimin e legjislacionit shqiptar për pakicat dhe mbështet integrimin e komunitetit shqiptar në Greqi si edhe zgjidhjen e çështjes së sigurimeve shoqërore e të shërbimeve publike ndaj tyre.

Zëvendëskryetari i Komisionit të Përhershëm të Mbrojtjes Kombëtare dhe Punëve të Jashtme, Anastasios Dimoschakis, vuri në dukje se lufta në Ukrainë e bën më kuptimplote mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë, si një faktor për stabilitetin e rajonit dhe vetë BE-së.

Greqia përshëndet e mbështet takimin e 6 dhjetorit në Tiranë dhe beson se ky takim do të rrisë prestigjin ndërkombëtar të Shqipërisë, stabilitetin në rajon dhe kohezionin mes shteteve evropiane.

Anëtari i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë, Konstantinos Barkas, nënvizoi se, lidhjet midis Shqipërisë e Greqisë janë të pandashme, marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë mbështeten nga të gjitha forcat politike dhe grupet e miqësisë do të kontribuojnë në intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe dypalësh.

Gjekmarkaj ndoqi edhe një seancë plenare të parlamentit grek, gjatë së cilës u takua edhe me kryetarin e parlamentit, Constantine Tassoulas dhe u përshëndet me deputetët pjesëmarrës në seancë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPeleshi: Furnizim i qëndrueshëm me dru zjarri dhe çmim i kontrolluar
Artikulli tjetërKomisioni i Sigurisë miraton ndryshimet ligjore të vetingut në polici