TIRANË, 7 nëntor/ATSH – I. Vata/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Greqi, ka zhvilluar një takim me homologun e tij Kostas Tsiaras.
Manja tha se bashkëpunimi në fushën e drejtësisë mes dy vendeve do të marrë një dimension të ri, teksa Shqipëria pasi hapi negociatat me BE, zhvillon takimin e parë për Kapitullin 23 pas vetëm dy javësh.
Ministri i Drejtësisë bëri të ditur se në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi në forcimin e shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
“Me kolegun diskutuam dhe dakordësuam për një erë të re bashkëpunimi në fushën e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për ndihmë reale në rritjen e kapaciteteve tona me qëllim thithjen e fondeve nga BE”, tha Manja.
Ai theksoi se u bisedua dhe për asistencë teknike në fushën e drejtësisë digjitale dhe menaxhimit të çështjeve gjyqësore.
“Gjithashtu u diskutua dhe për rritjen e nivelit të ekspertizës dhe përgatitjes jo vetëm për gjyqtarë dhe prokurorë që dalin nga Shkolla e Magjistraturës, ku kemi bashkëpunim të mirë, por edhe për ndihmësit ligjorë, këshilltarët ligjorë, apo nëpunësit gjyqësorë”, u shpreh Manja.
Ai bën të ditur se gjatë takimit u ra dakord që ekipet tona teknike të takohen me një axhendë konkrete.
“Ne kemi plot për të përfituar nga eksperiencat e Greqisë, jo vetëm si një nga anëtaret e hershëm të BE, por edhe si fqinj i mirë, shembullin e të cilit duhet të ndjekim për mos të bërë gabime në rrugën e negociatave”, theksoi Manja.
/r.e/













