TEHERAN, 5 nëntor /ATSH-DPA/-Të paktën 314 persona kanë vdekur deri më tani në protestat mbarëkombëtare iraniane, duke përfshirë 47 të mitur dhe 38 anëtarë të forcave të sigurisë, sipas një organizate të të drejtave të njeriut, me seli në SHBA.
“Përveç kësaj, mbi 14 000 persona janë arrestuar. Protestat janë përhapur në më shumë se 130 qytete në mbarë vendin”, raportoi sot Agjencia e Lajmeve për të Drejtat e Njeriut.
Protestat masive u shkaktuan nga vdekja e gruas kurde iraniane 22-vjeçare Mahsa Amini, në paraburgim, e cila u arrestua nga policia e moralit, e dyshuar për shkelje të rregullave të rrepta të hixhabit.
Që nga vdekja e Amini më 16 shtator, dhjetëra mijëra persona kanë protestuar kundër kursit represiv të qeverisë së Republikës Islamike. Protestat janë bërë një nga sprovat më të mëdha të lidershipit të vendit që nga krijimi i shtetit.












