TIRANË, 5 nëntor/ATSH/- Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot se “në eksperimentin e parë që ne bëmë, me primaret, me zgjedhjet e kryetarëve të degëve, suksesi i procesit ishte i plotë”.
Gjatë një komunikimi me qytetarët ne rrjetet sociale, Berisha tha se primaret nuk sollën përçarje, ndërsa vlerësoi të gjithë ata që morën pjesë dhe mbajtën qëndrim fisnik ndaj rezultateve.
Ai tha se gara në primare është e e para e kësaj natyre në Shqipëri duke theksuar se “duhet të bëjmë gjithçka që simpatizantët tanë të votojnë”.
“Natyrisht do ketë pa diskutim, nuk e përjashtoj që të ketë qytetarë dhe individë që nuk vijnë me të njëjtin qëllim në ato votime, por ato nuk mund të prishin tërësinë e tyre”, u shpreh Berisha.
I pyetur se si do të veprojnë për të dalë me një kandidaturë të vetme dhe jo me dy kandidatë siç deklaroi një ditë më parë Enkelejd Alibeaj, Berisha tha se “ Partia Demokratike e vërtetë e rithemeluar ka përcaktuar një procedurë të cilën nuk ka demokrat që normalisht ta refuzojë”.
“Kur tetë muaj apo një vit më parë, unë kaloja nga Foltorja në Foltorja për të folur për peng-Bashën në atë kohë, kishte që e besonin, por edhe të tjerë skeptikë. Sot besoj, pas të gjitha të dhënave, është e qartë se të gjitha ato janë totalisht përpjekje të Edi Ramës dhe s’kanë asgjë të përbashkët me PD-në. Në këtë kontekst, unë kam qenë, jam dhe do të jem i hapur, që çdo deputet i kësaj partie, çdo eksponent dhe anëtar i kësaj partie, të kandidojë në primare, të propozojë cilindo për primare. Unë s’jam kurrë i hapur të heq dorë nga primaret, as dhe të zëvendësoj primaret me sondazhe”, deklaroi Berisha.
“Çdo demokrat, që dëshiron të marrë pjesë në primare, e theksoj edhe njëherë, është i mirëpritur dhe i mbështetur plotësisht. Ata të cilët, që duan të bëjnë argatinë dhe të dëmtojnë për llogari të Edi Ramës, përpjekjet e PD-së, bëjnë një suicid politik dhe asgjë tjetër”, shtoi ai.
Ai tha se Rama betejën e ka me 11 Dhjetorin, me Partinë Demokratike të rithemeluar, sepse atë tjetrën,e kishte në xhep
Gjithashtu, Berisha u ndal edhe te protesta e datës 12 nëntor ora 16.00 duke deklaruar se pjesëmarrja e qytetarëve është një kusht jashtëzakonisht i rëndësishëm për triumfin e opozitës ndaj këtij regjimi.






















