TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Bashkia e Shijakut ka nisur sot procesin për shorteun e shpërndarjes së apartamenteve në 31 pallatet e fundit të rindërtuara.
Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana tha se “jemi bashkia e parë që përfundojmë procesin e rindërtimit. Vetëm në bashkinë e Shijakut janë ndërtuar 802 banesa individuale, 4 shkolla, 2 kopshte, një çerdhe dhe shumë rrugë e infrastrukturë sa i takon lagjes “Lugina”. 31 pallate për 637 familje që janë përfituese”.
“Sot hapim shorteun me pallatin tuaj. Për transparencën tuaj dhe për ata që na ndjekin përveç stafit të bashkisë është edhe përfaqësues i Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, përfaqësues nga Prokuroria, Policia e Shtetit, prefektura, media dhe gjithashtu punonjës nga stafi i bashkisë”, tha Arbana.
Kryebashkiaku Arbana u shpreh se “sot është dita ime më e lumtur, pasi po përfundojmë një punë aq intensive, jashtë orari dhe gati dyvjeçare e pak muaj me nisjen e procesit të rindërtimit. Kemi përfunduar krejtësisht me procesin e rindërtimit dhe tashmë kjo punë kurorëzohet me shpërndarjen e apartamenteve në 31 pallatet e kësaj bashkie”.
Sipas tij, me përfundimin e këtij procesi hapet rruga për të bërë më shumë investime dhe punë për fusha të tjera në Shijak dhe për banorët e tij.
“Nga programi i bonusit të qirasë jo më larg se dje për të gjithë banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 që po presin pallatet kemi kaluar edhe bonusin e qirasë, që shpresojmë që është i fundit”, tha Arbana.
/k.s/r.e/





















