BERLIN, 3 nëntor /ATSH-DPA/-Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe liderët e tjerë të BE-së kanë rikonfirmuar perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian në një samit në Berlin.
“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian. Ato janë pjesë e Evropës dhe e familjes evropiane”, deklaroi sot Scholz në një takim me liderët e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.
Të gjashtë vendet synojnë të anëtarësohen në BE, por janë në faza të ndryshme të procesit. Në kuadër të pushtimit rus në Ukrainë, aplikimet e tyre për t’u bashkuar me një BE në zgjerim, shihet si një urgjencë në rritje.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha në takim se synimi ishte afrimi sa më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Vendet e Ballkanit nënshkruan marrëveshje të ndërsjella që njohin dokumentet e identitetit të qytetarëve, kualifikimet universitare dhe kualifikimet profesionale.
Marrëveshjet u cilësuan nga kryeministri shqiptar, Edi Rama si një “sukses i madh”.
Vendet u inkurajuan gjithashtu të bënin progres drejt një zone të përbashkët ekonomike për Ballkanin.
Megjithatë, Scholz përmendi gjatë takimit se vendet kishin probleme të vazhdueshme me korrupsionin, krimin e organizuar dhe migrimin e parregullt.//a.i/























