BRUKSEL, 3 nëntor /ATSH-DPA/ – Giorgia Meloni, kryeministrja e re italiane, është nisur drejt Brukselit për të takuar zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian, në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit.
Politikania e ekstremit të djathtë do të takohet veçmas me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.
Meloni ka qenë shpesh kritike ndaj BE-së dhe institucioneve të saj në të kaluarën, por fakti që një vizitë në Bruksel është udhëtimi i saj i parë jashtë shtetit në detyrë mund të shihet si një sinjal pro BE.
Që kur mori detyrën në tetor, ajo ka thënë se qeveria e saj do të respektojë rregullat e BE-së, por se Italia duhet të marrë një rol më vendimtar brenda bllokut.
Von der Leyen tha më parë se ajo ishte në pritje të “bashkëpunimit konstruktiv” me qeverinë e re italiane pasi shkaktoi një trazirë në Itali përpara zgjedhjeve duke thënë se BE-ja kishte “mjete” për t’u marrë me shkeljet e rregullave të saj.
Meloni drejton një aleancë të krahut të djathtë të partisë së tij të ekstremit të djathtë ”Fratelli d’Italia” (”Vëllezërit e Italisë”), ”Forza Italia” e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi dhe ”Lega” e Matteo Salvinit./ /os/






















