TIRANË, 2 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “greva e urisë është një institucion shumë i lartë, përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga, aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit”.
Gjatë vizitës në shkollën “Klodian Tanushi” në Qesarakë, Rama komentoi edhe protestën e disa pedagogëve për rritje pagash.
“Është e paimagjinueshme që sot në këto kushte të vështira, jo profesorët e pedagogët e universitetit, por një çetë brenda trupës që është shumë më e madhe sesa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rriten rrogat edhe më shumë se ç’ju rritën, do hyjnë në grevë uri”, tha Rama.
Kryeministri tha se “grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, pa flamur, pa fe, pa din e iman”.
Rama shtoi se “grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre fëmijëve, të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak sesa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës”.
“Nuk iu është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogut dhe kanë edhe paturpësinë të dalin edhe nëpër media e të thonë ‘nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri’. Si mundet një misionar i arsimimit të gjeneratës së re të deklarohet publikisht se nuk ia vlen? Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri, sepse normalisht dikush që thotë se nuk ia vlen të jesh pedagog, nuk mund të jetë më pedagog, por është autonomia, nuk është e drejta dhe mundësia jonë që t’i tregojmë vendin këtyre lloje personazheve që çedukojnë rininë tonë”, tha Kryeministri.
Ashtu sikundër, Rama tha se shumica e pedagogëve nuk janë këta.
“Nuk ka se si të jenë këta, se nëse do ishin këta, atëherë do ishim vërtetë në alarm, në një alarm shumë më të madh sesa inflacioni i luftës, në një alarm shumë më të madh se sa kriza globale e çmimit të energjisë, por fatmirësisht nuk janë këta shumica. Më vjen keq që u detyrova të flas për këtë, por më vjen shumë mirë që këtë mundësi na e jep shembulli i një djali, i cili pagën e kishte më të ulët sesa SHIK-si që do të futet në grevë urie për t’i shërbyer atyre të cilët i shërbejnë rublave ruse dhe jo atdheut, por dha jetën”, tha ai.
/r.e/













