Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: Të ardhurat totale të buxhetit 2023, 631,7 miliardë lekë

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se “për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 2.6%”.

Në fjalën e saj në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave ku u diskutua mbi të ardhurat e planifikuara në projektligjin “Për Buxhetin e viti 2023”, Ibrahimaj tha se “kjo rritje do të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet, por dhe nga ajo e huaj”.

“Ky projektbuxhet është hartuar në kushtet e një krize në përpjekje për t’i dhënë përgjigje atyre problemeve që gjeneron një krizë si kjo e tanishmja. Të ardhurat buxhetore për vitin 2023 përfaqësojnë nivelin më të lartë të arritur deri tani jo vetëm në shifra absolute, por edhe në raport me Produktin e Brendshëm Bruto. Në vitin 2023, parashikohet që të ardhurat totale të buxhetit të jenë sa 29% e Produktit të Brendshëm Bruto. Nga viti 2013, i cili u mbyll në nivelin 24,2% të të ardhurave totale ndaj PBB-së, rritja me rreth 5 pikë përqindje brenda një periudhe 10-vjeçare flet qartë për trendin pozitiv në konsolidimin e financave publike shqiptare”, nënvizoi Ibrahimaj.

Sipas saj, ky trend pozitiv, i përfaqësuar nga rritja me rreth 5 pikë përqindje ndaj PBB-së, reflektohet edhe në grupin e “Të ardhurave tatimore” të cilat nga 22,2% në fund të 2013, arrijnë në 27 % në fund të vitit 2023.

“Rritja mesatarisht me 0,5 % të PBB-së dhe në këto 10 vjet është tregues i pakundërshtueshëm i përmirësimeve në politikat tatimore dhe administrimin tatimor dhe doganor. Nëse marrim parasysh edhe vitet mjaft të vështira 2020-2022, për shkak të efekteve negative në financat publike të tërmetit të vitit 2019, pandemisë COVID-19 dhe dhe luftës në Ukrainë, arritja e nivelit të të ardhurave sa 29 % e PBB-së është arritje domethënëse. Pa efektet negative të faktorëve që përmendëm më lart dhe që impaktuan situatën e 3 viteve të njëpasnjëshme, me siguri që të ardhurat totale të buxhetit në vitin 2023 do të ishin mbi 30 % të PBB-së, një objektiv ky i shumë synuar nga çdo qeveri që ka drejtuar këtë vend”, theksoi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “të ardhurat totale të buxhetit 2023 parashikohen të arrijnë në 631,7 miliardë lekë, rreth 51 miliardë lekë më shumë krahasuar me të ardhurat totale të vitit 2022 me 120,8 miliardë lekë më shumë se ato të vitit 2021”.

“Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 631.7 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 587.8 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 431.2 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve planifikohen 126.5 miliardë lekë. Të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit për vitin 2023 pritet të rriten me 8.7 % krahasuar me nivelin e pritshëm për vitin 2022, ndërsa të ardhurat tatimore do të rriten me 8,02 %. Të ardhurat tatimore që mblidhen nga tatimet dhe doganat rriten me 9,14 %, të ardhurat e pushtetit vendor 5,50 % dhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore 6.70 %”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj u shpreh se “nga rritja ekonomike dhe indeksi i çmimeve, është projektuar që të ardhurat e vitit 2023 të rriten me 23,2 miliardë lekë”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTabaku: Buxheti nuk i përgjigjet kërkesave të qytetarëve
Artikulli tjetërTermoizolimi i pallateve në Korçë, Rama: Ndihmon në kursimin e energjisë