Ballina Aktualitet

Rama takim me të rinjtë në Ersekë: Raste suksesi që e shohin të ardhmen të ndërtuar këtu

TIRANË, 31 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj interesit të të rinjve për mundësitë e tyre për të jetuar në Shqipëri, gjatë një takimi me të rinj në Ersekë, mes të cilëve vajza e djem të talentuar dhe raste suksesi që e shohin të ardhmen të ndërtuar këtu.

Në fjalën e tij, Rama tha se kur bëjmë krahasimin me Bashkimin Evropian duhet të kemi parasysh se sa kohë kanë vendet e BE-së që e kanë nisur rrugën.

“Sepse ne e kemi nisur shumë vonë dhe sigurisht se duke bërë këtë krahasim e kuptojmë se nuk mundemi dot të jemi sot në të njëjtin nivel si vendet e BE-së, sepse nuk kemi pasur kohën që ata kanë pasur në dispozicion, nuk e kemi trashëgiminë dhe traditën e institucioneve që ata kanë pasur dhe na duhet të vrapojmë më shpejt. Por, ama, nga ana tjetër, është e vërtetë se progresi i bërë nga Shqipëria në njësinë e kohës dhe në raport nga u nisëm është absolutisht i pakrahasueshëm me shumë vende të BE-së, të cilët e kanë bërë këtë progres gradualisht dhe në një kohë shumë më të gjatë”, tha ai.

Rama shtoi se për të rinjtë kjo është e pamjaftueshme.

“Për ju kjo është e pamjaftueshme dhe është krejt normale. Ashtu sikundër nga ana tjetër, çdokush, sidomos në moshë të re, është në të drejtën e tij që të synojë të ketë më shumë, t’i ketë më shpejt dhe dikush të niset të iki diku tjetër. Kjo është gjëja më normale dhe të gjitha vendet e kanë kaluar. Ne nuk jemi të parët që e kalojmë, por të fundit që kemi dalë nga cikli i barbarisë dhe i izolimit. Nga ana tjetër, unë e besoj që janë fakte që kanë filluar të na ndihmojnë për të thënë që këtu nuk është e vërtetë që s’ka mundësi. Ikja është gjëja më e zakonshme. Nuk jemi më si në kohë të komunizmit, tashmë jemi një vend fatmirësisht me mundësi lëvizjeje. Lëvizjet nga një vend në një vend tjetër, edhe në Evropë, janë pjesë e kësaj kohe të re. Ka zona të BE-së që përjetojnë ikje drejt zonave më të pasura. Mjafton të shohësh jugun e Italisë, por edhe në fshatrat e BE-së”, tha ai.

Po ashtu, Rama tha se këtu ka mundësi për të jetuar dhe fituar më shumë po të investosh në fshat.

“Para se të vija këtu isha në një shtëpi në Rehovë. Aty ishte një zonjë që kishte qenë drejtore banke në Tiranë dhe bashkë me të shoqin kishte ardhur këtu. Me ato kursime kishin rindërtuar shtëpinë e tyre dhe e kishin kthyer në bujtinë. Kjo zonë ka 20 mijë vizitorë të huaj apo vendas që kanë fjetur këtu. Kjo do të thotë mundësi, apo më pak mundësi? Ndërkohë që para disa vitesh këtu nuk kishte shans të vinte njeri për ta vizituar. Do thoni ju, pse ka më shumë mundësi? Ka më shumë mundësi, sepse kjo bukuri këtu është një pasuri dhe lum kush e sheh me atë sy dhe bën një punë për të marrë një pjesë nga kjo pasuri dhe për ta kthyer në mirëqenie familjare. Të ndërtosh sot në Shqipëri një bujtinë në shtëpinë e rrënuar të stërgjyshit, do të thotë t’i japësh mundësinë vetes për të fituar më shumë se në Evropë”, tha Rama.

Për Kryeministrin, rruga e vetme është rruga e punës.

“Nuk ka një formulë magjike se po të kishte një formulë magjike, do ta kishin zbuluar të tjerët dhe po të kishim mundësi që ne të ishim bërë si Bashkimi Europian kaq shpejt, do ishin bërë të tjerët. Edhe brenda Bashkimit Europian nivelet janë të ndryshme, nuk e ka arritur Gjermaninë asnjë vend tjetër nga vendet që u futën më vonë në BE, nuk e kanë arritur. Që do të thotë që sepse ecin ata, ecim ne, po ecin edhe ata që janë të parët atje. E vetmja rrugë është puna, durimi, nuk ka tjetër”, theksoi ai.

Rama u ndal dhe tek mundësitë e punësimit përmes teknologjisë.

“Duke mësuar gjuhën e teknologjisë dhe duke vënë në shërbim këtë aftësi për një treg që është kudo, që mund të punësohesh në Amerikë, mund të punësohesh në Europë, mund të punësohesh në Australi duke qenë këtu dhe ishim në Mat me atë djalin, djali ishte aty prezent, fizikisht, një djalë i cili tha: “deri para se të vinit ju në këtë takim, isha tek lokali dhe isha duke punuar” dhe nuk më kujtohet në cilin vend punonte. Kishte qenë ne emigracion dhe ishte kthyer. ‘’Për çfarë të rrija atje”, – tha, “kur këtë gjë e bëja këtu, e bëj në shtëpinë time””, tha Rama.

“Të gjitha këto nuk duan të thonë që kush tenton të ikë, bën gabimin e jetës, absolutisht, por edhe variant tjetër, që ik, se këtu s’ka mundësi, është tërësisht e pavërtetë dhe është psikozë. Të dyja janë të mundura, në të dy drejtimet ka mundësi, por ama midis një pune të zakonshme jashtë dhe një investimi këtu, të kësaj natyre që thashë, nuk flasim për investime të mëdha, flasim për investime të mundura, aq më tepër në kushtet kur ne mbështesim këtë lloj investimesh dhe nëse për ju ka ende kohë për të marrë një vendim të tillë, s’do sugjeroja kurrë që në këtë moshë ti të çoheshe e të ikje, natyrisht nëse pastaj ti shkon në një universitet me mbështetjen e prindërve, kjo është komplet krejt gjë tjetër, por po flas për këto ikjet pas berihait sepse janë shumë të gabuara. Të harxhosh para për të paguar kontrabandistë, për të kaluar kanalin atje, për të shkuar në Angli, ndërkohë që me ato para mund të bësh këtu një investim, të kësaj natyre që po them, është komplet fatkeqësi, është budallallëk”, tha Rama. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMusk: Twitter do t’i përmbahet Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së
Artikulli tjetërBalluku: Analizojmë çdo detaj para vendimit për fashën mbi 800 kWh