Ballina Flash

Manastirliu: 400 qendra të reja shëndetësore

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, tha se buxheti i vitit 2023 vijon të financojë programin për modernizimin e infrastrukturës të shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet duke nisur nga qendrat e kujdesit parësor në ato spitalor me synim rritjen e cilësisë së ofrimit shëndetësor për qytetarët, duke kapur vlerën 3.5 miliardë lekë.

Në fjalën e saj në komision, Manastirliu u shpreh se “po përfundojmë rehabilitimin e Spitalit Pediatrik në QSUT, fazën e dytë, si dhe do të fillojmë projektin e rehabilitimit të Spitalit të Kardiokirurgjisë dhe atij Psikiatrik në QSUT”.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se do të nisim dhe rehabilitimin e spitaleve rajonale të Dibrës, Lezhës dhe Spitalit Bashkiak të Krujës.

“Fillojmë rehabilitimin dhe pajisjen për poliklinikave në spitalet rajonale të Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit dhe finalizojmë rikonstruksionin për poliklinikat e Gjirokastrës dhe Dibrës. Përfundojmë rehabilitimin e Spitalit Rajonal Kukës të fazës së tretë të tij”, tha Manastirliu.

Buxheti i vitit 2023 do të mbështesë rehabilitimin e 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave duke e çuar numrin e tyre në 400 që nga fillimi i programit.

“Me programin e rehabilitimit të qendrave shëndetësore dhe ambulancave sigurojmë rehabilitimin e 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave për vitin 2023 duke i çuar në 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca të rehabilituara që me fillimin e këtij programi”, tha Manastirliu.

Buxheti i vitit 2023 do të financojë gjithashtu:rehabilitimin dhe pajisjen për poliklinikave në spitalet rajonale të Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit dhe finalizojmë rikonstruksionin për poliklinikat e Gjirokastrës dhe Dibrës, përfundimin e rehabilitimit të Spitalit Rajonal Kukës të fazës së tretë të tij, si dhe përfundon faza e parë të rindërtimit të Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe nis projekti i rehabilitimit të fazës së dytë të këtij projekti.

Manastirliu bëri të ditur se, “do të ndërtohet për të parën herë qendra laboratorike e Institutit të Shëndetit Publik në fazën e parë të tij dhe më pas shtrihet në rehabilitimin e Institutit të Shëndetit Publik dhe pajisjen e tij. Ndërsa përfundon rikonstruksioni dhe pajisja me aparatura bio-mjekësore të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUKRAINË – Rusia lёshon sërish raketa nё disa qytete
Artikulli tjetërMargariti: Një miliard lekë për Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijët