TIRANË, 29 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në një takim me të rinjtë në Peshkopi, u ndal te mundësia që ofron tregu i madh global i punës për të rinjtë që aftësohen në teknologjinë e informacionit.
“Sot ka të rinj që e kanë hapur rrugën për t’u punësuar në tregun e madh global online dhe për të marrë paga shumë më të mira se sa kryetari i bashkisë ose ne të tjerët që jemi këtu. Është realitet botëror që nuk ka lidhje fare me gjeografinë, nuk ka rëndësi ku ndodhesh
mjafton një kompjuter dhe aftësia, për të hyrë në treg. Teknologjia sot ofron mundësi që të punosh në çdo cep të botës. Është treg me 16 milionë vende bosh sot që flasim”, tha Rama.
Në këtë kuadër ai theksoi se qeveria ka filluar procesin me një qendër fantastike të mësimit të kodimit dhe robotikës në Tiranë.
“Po bëjmë qendrën e re të teknologjisë te Piramida, më e madhja në Ballkan, por prapë është pak, ndaj me programin e ri të arteve dhe zejeve ne do të hapim në fillim të vitit të ardhshëm në 200 shkolla, kurset e pasdites për kodimin. Njëkohësisht, me futjen e kodimit që në klasë të parë ne kemi edhe një program tjetër për financimin pjesërisht të këtyre kurseve, që janë jo të lira për një numër të caktuar nxënësish që kanë të ardhura të pamjaftueshme në familje. Po angazhojmë edhe kompanitë t’i ndërgjegjësojmë që të financojnë individë që pastaj vihen në dispozicion të kompanisë, pra jo vetëm merret aftësia por edhe një vend pune”, tha ai.
Lidhur me artin dhe kulturën, Rama informoi se ka një komponent tjetër në program, për pikturën, muzikën, aktrimin, recitimin që do të hyjë në funksion në fillim të vitit të ardhshëm.
Një tjetër komponent i rëndësishëm sipas tij është sporti.
“Janë krijuar skuadrat. Në bashkëpunim me KOKSH po bëhet shpërndarja e gjithë uniformave sportive që të jenë tamam skuadra dhe do të fillojmë kampionatet në nivel bashkie, qarku dhe nivel kombëtar. Është hapi i parë, por sportin duam ta bëjmë komponent të rëndësishëm të shkollës, si vendet e tjera. Me pikë të caktuara për ata që merren me sport. Kjo do të kërkojë disa vite”, shtoi ai.













