Ballina Aktualitet

Çuçi: Do të rikthehen kamerat e trupit për Policinë e Shtetit

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Kamerat e trupit do të rikthehen për një pjesë të madhe të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Konfirmimin e dha sot ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa prezantoi në Komisionin për Sigurinë Kombëtare buxhetin e vitit 2023.

“Kamerat e trupit e kanë sistemin e ngritur dhe fondi nuk është shumë i madh, por tërësisht i përballueshëm brenda buxhetit të vitit 2023. Është në nivelin e 60 milionë lekëve në vit, një shumë që mund të përballohet nga buxheti i shtetit”, tha ministri i Brendshëm.

Në vijim të diskutimit me deputetët, Çuçi theksoi ndër të tjera se, “vitin e ardhshëm investimet në Policinë e Shtetit do të jenë 56% më tepër se viti aktual, me fokus kryesor teknologjinë, sistemet dixhitale dhe rritjen e sigurisë përballë sulmeve kibernetike.

“Në total këto investime janë 7.6 herë më tepër. E përllogaritur në vlerë rreth 500 milionë lekë nga buxheti i Ministrisë së Brendshme dhe 278 milionë lekë investime nga AKSHI për llogari të sistemeve të Policisë së Shtetit”, tha ai.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRrjedhja e gazit në Porto Romano, ISHTI: Automjeti, pa certifikatë për transportin e mallrave të rrezikshëm
Artikulli tjetërBRUKSEL – Stoltenberg: NATO vazhdon të mbështesë Ukrainën, pavarësisht kërcënimeve bërthamore ruse