TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme Strategjinë Kombëtare të Rinisë.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se, “strategjia u miratua pas një viti të gjatë punë me konsultime të shumta si me të rinjtë në të gjithë bashkitë dhe qarqet e vendit, por gjithashtu dhe me organizatat e ndryshme rinore”.
Muzhaqi u shpreh se, “kjo është një strategji e miratuar tashmë dhe e konsoliduar edhe me 20 institucione të qeverisë shqiptare si dhe me gjithë palët e interesit. Tashmë kemi dokumentin final, i cili u miratua sot”.
Muzhaqi tha se, “ky dokument parashikon të gjitha politikat e nevojshme për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë shqiptarë”.
Muzhaqi nënvizoi se janë 3 qëllime politike në përmbajtje të strategjisë.
“Qëllimi i parë lidhet me fuqizimin e të rinjve”, tha Muzhaqi, e cila u ndal në dy elementë të rëndësishëm.
“I pari lidhet me këshillat vendorë rinorë. Kemi aktualisht 42 të tillë të ngritur në bashkitë e vendit dhe patjetër që po punojmë për të ngritur edhe pjesën tjetër. Këto këshilla vendorë rinorë shërbejnë si ajo rrugëlidhja midis të rinjve dhe kryetarëve të bashkive dhe institucioneve lokale, pra për të vendosur të rinjtë në qendër të vendimmarrjes sa i përket vendimmarrjes lokale dhe qendrore”
“Kemi dhe këshillat kombëtare rinorë, të cilët shërbejnë për të konsoliduar të gjithë njohuritë dhe idetë që të rinjtë japin, për t’i bërë ata pjesë të politikëbërjes”, tha Muzhaqi.
“Qëllimi i dytë lidhet me pjesën e inovacionit rinor me rritjen e aftësive profesionale të të rinjve, sigurisht me një fokus të veçantë sa i përket fushës së teknologjisë”, u shpreh Muzhaqi.
“Qëllimi i tretë ka të bëjë me pjesën e mirëqenies sociale, mendore dhe fizike, ku kemi një sërë programesh, duke filluar që nga pjesa e psikologëve në shkolla dhe këshillimi i karrierës”, u shpreh Muzhaqi.
Ajo përmendi dy programe kryesore, programin jashtë orarit mësimor dhe programi i ekipeve sportive.
/j.p/r.e/














