Ballina Aktualitet

Meta: Prokuroria të zbardhë vdekjen e Lear Kurtit

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, ndërsa deklaroi se “policia po përpiqet ta trajtojë si një ngjarje të zakonshme, për të mbuluar një krim flagrant shtetëror”.

“Po tentohet të fshihet e vërteta, ndërsa është ende shumë e freskët në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, vrasja makabër e Klodian Rashës dhe mashtrimi i policisë së Ramës dhe Ministrisë së Brendshme”, tha Meta në një deklaratë për shtyp.

Meta kërkoi largimin e menjëhershëm të Ramës dhe ministrit të Brendshëm Blendi Çuçi, pasi i cilësoi si përgjegjës kryesorë të krimit shtetëror të përsëritur.

“Të procedohet Ard Veliu manipulues i disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të policisë së Ramës. Prokuroria duhet të zbardhë tërësisht ngjarjen, jashtë çdo ndërhyrjeje dhe presioni qeveritar dhe policor. Avokati i Popullit duhet të bëjë sa më parë transparencën e gjithë kësaj ngjarjeje kriminale me pasoja tragjike. Koha nuk pret për të parandaluar fatkeqësi dhe tragjedi të tjera për familjet shqiptare dhe tronditje të tjera për të gjithë opinionin shoqëror”, tha ai.

Meta i bëri thirrje medies dhe shoqërisë civile të monitorojnë hetimin dhe njëkohësisht të ecin të gjithë së bashku në transparencë të plotë deri në ndëshkimin e autorëve të kësaj tragjedie.

/m.m/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Vizita e Von der Leyen në Ballkan mesazh solidariteti
Artikulli tjetërKriza energjetike, BB: Fasha 800 kWh vendim pozitiv, shpërndan kostot