Ballina Aktualitet

Nikolla: Rritja e transparencës fuqizon llogaridhënien

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Nën kujdesin e Kryetares Lindita Nikolla, Kuvendi i Shqipërisë organizoi veprimtarinë promovuese “Teknologjia në funksion të Transparencës, Edukimit Qytetar dhe Pjesëmarrjes së Publikut në Vendimmarrje”.

Në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u prezantuan para partnerëve nga shoqëria civile dhe media, faqja e re zyrtare WEB dhe platformat e reja teknologjike të Kuvendit.

Në fjalën e saj në aktivitet Kryetarja Lindita Nikolla theksoi se prioriteti i kësaj legjislature për rritjen e transparencës dhe përfshirjes së publikut në veprimtarinë parlamentare po mbështetet nga krijimi i infrastrukturës teknologjike.

“Kur është fjala për transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare, ne  kemi një qëllim të përbashkët dhe gjithashtu një agjendë të përbashkët Kuvend-Shoqëri Civile dhe Media. Transparenca, edukimi qytetar dhe përfshirja e publikut në janë parime themelore që u mundësojnë qytetarëve përfshirjen, informimin dhe kontrollin e veprimtarisë së institucioneve. Rritja e transparencës nuk është një qëllim në vetvete, por një instrument për fuqizimin e llogaridhënies dhe përgjegjësisë publike të Kuvendit”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Nikolla nënvizoi se veprimtaria e hapur e Kuvendit realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut në procesin ligjbërës; pasqyrimit të veprimtarisë së Kuvendit dhe organeve të tij në median e shkruar dhe vizive; botimeve të dokumentacionit parlamentar; faqes së internetit të Kuvendit; si dhe rrjetit të brendshëm audiovizual.

Duke iu referuar situatës së pazakontë që solli Pandemia Covid-19, Kryetarja Nikolla theksoi se Kuvendi arriti të përshtatej shumë shpejt me kushtet e reja të punës dhe transmetimit online të të gjitha mbledhjeve, duke garantuar transparencë të plotë të  aktivitetit parlamentar për qytetarët, shoqërinë civile dhe median.

“Legjislatura X nisi me transmetimin online në faqen zyrtare WEB të të gjitha mbledhjeve të veprimtarisë paralmentare: mbledhjet e komisioneve parlamentare, seancat plenare dhe aktiviteteve te tjera të rëndësishme për publikun, duke i dhënë mundësinë publikut të gjerë që të ndjek në kohë reale çdo gjë që ndodh në parlament por edhe të ketë mundësinë të aksesojë në çdo kohë në formatin video të gjitha mbledhjet e zhvilluara. E gjithë kjo u bë e mundur nëpërmjet përdorimit të sistemit të ri audiovideo të Kuvendit, i cili u instalua falë mbështetjes dhe financimit të fondeve IPA dhe buxhetit të Kuvendit. Kjo mënyrë e re transmetimi, shënoi një hap të rëndësishëm në komunikimin me publikun e gjerë dhe po ashtu në aksesin e kujtdo dhe në çdo kohë në veprimtarinë parlamentare, duke ofruar informacion të plotë dhe në kohë reale të diskutimeve, zhvillimeve dhe vendimmarrjes gjatë procesit ligjbërës dhe jo vetëm”, u shpreh Nikolla.

Kryeparlamentarja Nikolla falënderoi BE-në për financimin e sistemit të ri audiovideo të Kuvendit, Ambasadën e Zvicrës për mbështetjen për modernizimin e shërbimeve parlamentare të Kuvendit, nëpërmjet projektit PACEP, si edhe NDI dhe Prezencën e OSBE-së në Shqipëri si partnerë të këtij projekti dhe këtij procesi.

Në aktivitet mbajtën fjalë ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, drejtuese e Departamentit të Demokratizimit dhe Mirëqeverisjes në OSCE-Shqipëri, Sihana Nebiu, drejtuesja e Zyrës së NDI në Shqipëri, Ana Kovaçeviç, të cilat vlerësuan punën e bërë nga Kuvendi për rritjen e transparencës dhe forcimin e marrëdhënieve me qytetarët dhe shoqërinë civile.

Në pjesën e dytë të takimit, drejtoresha e Shërbimit të  Informacionit dhe Dokumentacionit, Julia Done, drejtoresha e Shërbimit të Komisioneve Lefteri Luzi, Elvin Gjevori, drejtor i Institutit Parlamentar, sollën risitë teknologjike të Kuvendit në drejtim të rritjes së transparencës, ndërveprimit të komunikimit me qytetarët, shoqërinë civile dhe median.

Përfaqësues të shoqërisë civile vlerësuan qasjen proaktive të Kuvendit për forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKrenaria e komunitetit, mirënjohje heronjve të përditshmërisë në Elbasan
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE diskuton fondin prej 1.5 miliardë eurosh në muaj për Ukrainën