TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se hapja e dosjeve për figurat e rëndësishme të shtetit mbahej peng me një çertifikatë pastëritie në kohën e SHIK-ut.
Në fjalën e tij, në seancën plenare të Kuvendit, teksa po diskutohet një ndryshim në ligjin “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, Rama tha se SHIK mbuloi ata që i duheshin.
“Doli një I.M dhe u mbush dynjaja me fjalë. U pa që nuk merrej dot vesh kush është ky I.M dhe shumë thjesht u zbulua që ka një pengesë për shtetasin I.M. Të hapet gjithë kjo kategori dosjesh dhe të lehtësohen të gjithë dhe ku ta gjejmë të marrim një përgjigje lehtësuese, e jo akoma më rënduese e të mësojmë se shtetasin I.M e paskemi ngjitur për 30 vite, ku ka pas vend në piramidën shtetërore. Larg qoftë të jetë ai”, deklaroi Rama.
Sipas Ramës, kjo do të tregonte kush është kush në këtë teatër të madh.
“”Non grata” me krahun radikal antijuridik nuk është këtu sot. Të gjithë kanë marrë arratinë, se sa dëgjojnë hapje dosjesh nuk e kanë të mundur ta dëgjojnë dhe kanë arsye. Si mund tu thuhet shqiptarëve se luftojmë për dinjitet kur vet i shmangesh një ballafaqimi të thjeshtë për të vërtetën”, shtoi Rama.
Rama më tej theksoi se “një kreshnik që ju thotë shqiptarëve bashkëpunoni me mua për dinjitet, minimumi thotë menjëherë ta marrim vesh, që ky që unë kam në krah është me apo pa dinjitet. Rrezik është me shtetasin I. M tani. Nëse është ia që thonë gojët e liga. Kjo e sekreteve shtetërore është çmenduri tjetër, kjo merr fund tani”, tha Rama.
Duke iu referuar fjalimeev të deputetëve të opozitës në Kuvend, Rama tha se komunizmi ka vdekur, por se ajo që vazhdon jeton është pjella e ligë e komunistit antikomunist.
“Këtë seancë me këto fjalime e dini ju se kush do ta shijonte më shumë nga të gjithë Sekretari i Parë i Partisë së sekretarit tjetër, që mori partinë tjetër edhe që sot është “non-grata”. Ai do ta shijonte më shumë nga të gjithë dhe do thoshtë: nipçe, mbesa akoma me punët e mia merreni. Komunizmi ka vdekur. Po ju lajmëroj që të jemi të qartë. Ka vdekur ka shumë kohë që ka vdekur. Po ajo që vazhdon jeton është pjella e ligë e komunistit antikomunist”, tha ai. /j.p/






















