TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi projektbuxhetin e vitit 2023, në të cilin të ardhurat parashikohen të arrijnë në 631.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet do të jenë 687.2 miliardë lekë.
Në relacionin që shoqëron ligjin e pr/buxhetit planifikohet që në vitin 2023 rritja ekonomike të jetë 2.6 %, nga 3.7 % që pritet të jetë në këtë vit.
Pas recesionit të fortë në vitin 2020, në normën prej -3.5 %, MFE-së thotë se ekonomia është rikuperuar fuqishëm në vitin 2021, në normën 8.5 % dhe parashikon të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme.
“Rritja ekonomike parashikohet në 3.7 % për vitin 2022 dhe parashikohet të vijojë të qëndrojë afër nivelit prej 3.7 % përgjatë periudhës afatmesme. Për vitin 2023 parashikohet që rritja ekonomike të ngadalësohet në 2.6 %, e ndikuar nga zhvillimet dhe pritshmëritë për ekonominë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Evropian”, thuhet në relacionin shoqërues.
Në vitin 2023, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 631.7 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 587.8 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 431.2 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 126.5 miliardë lekë.
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2023 është planifikuar 687.2 miliardë lekë, ose 31.6 % e PBB.
Investimet Publike për vitin 2023 janë planifikuar në masën 5.6 % e PBB ose 122.24 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë).
Shpenzimet e planifikuara synojnë mbështetjen për digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike, finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, sigurinë kombëtare, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Në planifikimin e investimeve për vitin 2023, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, thotë se ka mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si në vitin 2022, dhe në vitin 2023 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.
Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si edhe deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2023, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet me rreth 1.3 % krahasuar me nivelin e fundit të vitit 2022.
Nga paketa e re fiskale, pritet që buxheti të arkëtojë 14.8 miliardë lekë.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se edhe vitin që vjen qeveria do të vijojë me politikën e rritjes së pagave dhe indeksimin e pensioneve, si një masë për të lehtësuar barrën e familjeve nga inflacioni i luftës së Rusisë në Ukrainë.
Po ashtu, Rama ka deklaruar se do të vijojë subvencionimi për kompanitë e menaxhimit të sektorit energjetik, për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.
/j.p/r.e/























