BERLIN, 15 tetor /ATSH-DPA/-Kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez dhe kryeministri portugez, Antonio Costa ranë dakord për një përgjigje të bashkuar evropiane për furnizimin me energji gjatë një takimi në Berlin, njoftoi sot zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.
“Liderët theksuan nevojën për një përgjigje të përbashkët ndaj çmimeve të larta të energjisë, ndërsa lufta e Rusisë vazhdon”, sipas Hebestreit.
Ata ranë dakord gjithashtu për të diversifikuar burimet e energjisë në mënyrë që të garantohet siguria e furnizimit të Evropës.
Evropa varet shumë nga energjia ruse, por po kërkon urgjentisht të heqë dorë nga furnizimet e Moskës, mes tensioneve të larta midis Perëndimit dhe Rusisë për shkak te luftës në Ukrainë.
Scholz, Sanchez and Costa nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të ndërtimit të gazsjellësve transnacional të energjisë brenda BE-së, duke përfshirë infrastrukturën e gazit të aftë për të transportuar hidrogjen të prodhuar nga burime të rinovueshme.
Bisedimet e tyre erdhën pas mosmarrëveshjeve rreth ndërtimit të një gazsjellësi të ri gazi nga Spanja përtej Pirenejve, një plan i favorizuar nga Gjermania dhe Spanja, por i kundërshtuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Liderët diskutuan gjithashtu sigurinë në Evropë, ndërsa lufta e Rusisë vazhdon, duke rikonfirmuar mbështetjen e tyre të plotë për Kievin për aq kohë sa do të ishte e nevojshme.//a.i/























