ANKARA, 11 tetor /ATSH-AA/-Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se zhvillimet ndërkombëtare vazhdojnë të tregojnë se sa kritike është Turqia për Evropën.
“Faktikisht, çdo zhvillim në botë zbulon faktin se Turqia është e domosdoshme për Bashkimin Evropian (BE) dhe rajonin evropian”, tha presidenti Erdogan pas takimit të kabinetit, në Ankara.
Deklarata e presidentit Erdogan vjen pas vizitës së tij në Pragë, Çeki, ku mori pjesë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian për të përcjellë pikëpamjet, kontributet dhe vlerësimet e Turqisë në sfidat me të cilat përballet Evropa, për sa i përket paqes, sigurisë, energjisë, klimës dhe ekonomisë.
Presidenti turk, Erdogan njoftoi se në mbledhjen e Komunitetit Politik Evropian kishte zhvilluar takime me disa liderë, përfshirë kryeministrin armen, Nikol Pashinyan.
Gjatë takimeve të tij në Pragë, Erdogan tha se Turqia dëshiron të zgjidhë problemet e Egjeut dhe Mesdheut brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar.
Erdogan i kërkoi BE-së t’i bënte thirrje Greqisë që të hynte në dialog mbi baza dypalëshe në vend që të mbështeste iniciativat ilegale të ashtuquajtuara unitet ose solidaritet.
Gjithashtu, Erdogan tha se udhëheqësit në samitin e Pragës vlerësuan rolin ndërmjetësues të Ankarasë midis Rusisë dhe Ukrainës.//a.i./












