TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot nen për nen projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se “ajo që miratuam vetëm një orë më parë thotë se, përjashtimisht konsiderohen të deklasifikuar, pra nuk ka më nevojë për vendim të Autoritetit, dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.
“Mjafton një kërkesë për informim dhe ai informacion do duhet t’i vihet në dispozicion çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë. Nëse nuk biem dakord për këtë deklasifikimi që kemi bërë është krejtësisht i pazbatueshëm, pra nuk kemi deklasifikuar asgjë dhe sërish dosjet i kemi të mbyllura në kyç dhe ose bashkëpunëtorët, ose personat e prekur kanë të drejtë të marrin informacion. Këtë e kanë dhe sot të drejtë ata”, u shpreh Bardhi.
“Thelbi i propozimit tonë ishte hapja e dosjeve. Duam të besojmë që kemi rënë dakord që të hapim në mënyrë të plotë dosjet. Miratuam deklasifikimin e tyre dhe do duhet tashmë në këtë ligj të garantojmë të drejtën e çdo qytetari për të garantuar të drejtën e tij të informimit”, tha Bardhi.
E pranishme në këtë seancë ishte edhe kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula, e cila tha se, modeli i ligjit shqiptar vjen sipas modelit të ligjit gjerman, i cili ka një kanal shumë të mirë për të lejuar çdo qytetar që ka interes për t’u njohur me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Çdo njeri që ka një pyetje kërkimore mund të afrohet. Kjo është mënyrë e mirë që çdo qytetar edhe nëse s’është i prekur mund të vijë. Vetëm duhet të thotë se çfarë pyetje kërkimore ka. Tek neni 37 dhe 38 janë çliruar barrierat për çdo njeri. Dhe mendoj se është goxha liri”.
Relatorja Ermonela Felaj u shpreh se, “nuk dua të mbetet rekord se nuk ka asnjë logjikë dhe asnjë provë që ta provojë këtë që PS është kundër hapjes së Dosjeve, sepse jemi pro hapjes së Dosjeve që në vitin 2015 kur kemi miratuar këtë ligj. Dhe plot njerëz kanë shkuar tek Autoriteti, i kanë parë dhe janë qetësuar për të mësuar të kaluarën e tyre. Po e thellojmë mundësinë për t’u njohur dhe mundësinë për të kërkuar me mekanizmat që po i japim Autoritetit për ta bërë më të fortë, por pa ndryshuar thelbin e ligjit”.
“Ajo që PS kërkoi në nisje të këtij diskutimi, është që certifikatat e pastërtisë Mezini-Bezhani nuk vlejnë më. Kjo është kryefjala e asaj që kemi kërkuar. Për hapjen e Dosjeve kemi qenë pro”, tha Felaj.
Pas diskutimeve mbledhja u ndërpre për të rivijuar javën e ardhshme.
/r.e/


























