TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Në totalin e investimeve të huaja në Shqipëri në 6-mujorin e parë të këtij viti, rritje të konsiderueshme kanë regjistruar edhe investimet austriake.
Austria renditet investitori i pestë më i madh i huaj në vendin tonë, me një total investimesh prej 556 milionë euro.
Referuar të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, investimet austriake në vendin tonë, përgjatë pjesës së parë të këtij viti, u zgjeruan me 33 milionë euro me bazë vjetore.
Në Shqipëri operojnë gjithsej 100 sipërmarrje me kapital austriak dhe me kapital të përbashkët. Ndërsa marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë janë intensifikuar dukshëm gjatë viteve të fundit.
Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve dhe në sektorin e ndërtimit.
Gjithashtu edhe në fushën e turizmit ka një potencial të madh zhvillimi. Numri i turistëve austriakë që vizitojnë çdo vit Shqipërinë po rritet gjithmonë e më shumë.
/r.e/













