TIRANË, 5 tetor/ATSH-I.Vata/ Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e cilëson si të drejtë protestën e pedagogëve që po mbahet sot në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se protesta e sotme e pedagogëve ka shumë arsye përse duhet mbështetur.
“Por mendoj tre janë më kryesoret: Së pari, tregon të vërtetën në lidhje me Arsimin e Lartë Publik dhe dështimin e Reformës në Arsim që prodhoi një sistem arsimor më të dobët dhe inefektiv. Parajsa e premtuar rezultoi një gënjeshtër e madhe, cilësia në rritje rezultoi në më pak studentë në auditore. Së dyti, cilësia e jetës për shtresën e pedagogëve është gjithnjë edhe më e ulët. Ata janë pjesë e shtresës së mesme dhe qytetarëve të angazhuar që përbuzen dhe keqtrajtohen nga një mazhorancë që sistematikisht ka sulmuar këtë shtresë. Largimi i shqiptarëve sot është shenjë e kësaj dobësie. Së treti, shkatërrimi i sistemit të kërkim-zhvillimit që përkthehet në adaptimin e ekonomisë sonë me sfidat edhe risitë e reja teknologjike. Nuk është rastësi që “biznesi” i vetëm i mirë është ai i ndërtimit dhe jemi pas në manifakturë, teknologji, zhvillimin e programeve kompjuterike”, argumenton Tabaku.
Deputetja e PD-së thekson se duhet mbështetur shtresa e mesme duke i dhënë shanse dhe mundësi të barabarta.
“Nuk do të mund të kemi një Shqipëri të shqiptarëve nëse nuk kemi një vend që trajton shtresën e mesme duke i dhënë shanse dhe mundësi! Nuk mund të jemi një komb i suksesshëm nëse nuk kemi një shoqëri që ofron mobilitet social. Nuk mund të jemi një shoqëri e moralshme nëse nuk respektojmë dinjitetin e pedagogëve”, deklaron Tabaku.
/r.e/


















