Ballina Aktualitet

Begaj në Shkodër: Pushteti vendor, sa më afër qytetarit

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në qytetin e Shkodrës.

Ndalesën e parë Kreu i Shtetit e bëri në Bashkinë e Shkodrës, ku u prit nga kryetari Bardh Spahia dhe nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Brisela Kadija.

Kreu i Shtetit u shpreh se “institucionet e pushtetit vendor duhet të jenë sa më afër qytetarit me vendimet e tyre, sidomos në këto kohë vështirësish ekonomike e rritje çmimesh, si pasojë e krizës ndërkombëtare”.

Sipas tij, “transparenca në vendimmarrje, mirëqeverisja dhe konsultimi me komunitetin dhe grupet e interesit duhet të jenë praktikë e zakonshme pune për të gjitha institucionet e zgjedhura”.

Presidenti i Republikës në vijim të vizitës së tij, mori pjesë në kremtimin e 100-vjetorit të themelimit të Gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër.

Kreu i Shtetit në fjalën përshëndetëse shprehu mirënjohjen për figurat e shquara të arsimit të këtij institucioni, të profesionalizmit dhe përkushtimit të mësuesve, të arritjeve të larta të nxënësve, të cilët kanë vendosur gurë themeli në arsimin kombëtar.

Më këtë rast Presidenti Begaj vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” këtë gjimnaz, si shkollën e parë laike në vend me motivacionin “Për kontributin e dhënë për arsimimin dhe edukimin e brezave gjatë një shekulli”.

Presidenti Begaj vazhdoi takimet me Prefekten Majlinda Angoni dhe përfaqësues të Këshillit të Qarkut.

Po ashtu ai u takua me përfaqësuesit e komuniteteve fetare të cilëve u shprehu vlerësime për kontributin personal dhe atë të gjithë komunitetit në kultivimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe tolerancën fetare në qytetin e Shkodrës.

Presidenti u prit në takime miqësore nga Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, Imzot Angelo Massafra, Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit si dhe At Aleksandër Petani, i Kishës Ortodokse Autoqefale në Shkodër.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – IFO: Inflacionit të lartë nuk po i duket fundi
Artikulli tjetërGjykata e Apelit: Çështja e PD-së do të gjykohet më 3 nëntor