Ballina Aktualitet

Arta Mandro, anëtare e KLP-së

TIRANË, 3 tetor/ATSH/- Kuvendi zhvilloi pasditën e sotme seancën e radhës plenare ku në rend dite përveç përzgjedhjes së anëtarit të KLP nga trupa e pedagogëve të Fakulteve të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistratutës, u diskutuan çështje të evidentuara si problematika nga takimet e deputetëve me zgjedhësit në zonat e tyre zgjedhore.

Në nisje të seancës u shqyrtua projektvendimi “Për miratimin e kandidaturës së përzgjedhur me short për raundin e tretë dhe  përfundimtar për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të Fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës”, ku propozohej kandidatura e Arta Mandro. Projektvendimi mori 58 vota pro, 5 kundër dhe 2 abstenim, duke mos arritur shumicën e kërkuar.

Kryetarja Nikolla njoftoi se bazuar në ligjin nr.115/2016 “Për organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, të ndryshuar”, ku përcaktohet se në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e tretë, kandidatët e listës së propozuar nga nënkomisioni për përzgjedhjen e anëtarit të KLP nga trupa e pedagogëve të fakulteve të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, konsiderohen të zgjedhur. “Kandidatura e Arta Mandro konsiderohet e zgjedhur, si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, u shpreh Nikolla.

Rendi i ditës vijoi me diskutimet e deputetëve, të cilët sollën problematika të ndryshme të evidentuara nga takimet me zonat e tyre elektorale, si situata energjetike, aplikimet e fermerëve për tokat me qera dhe çështje të tjera të ngritura prej fermerëve, probleme të arsimit, infrastrukturës  etj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMOSKË – Operatori gjerman i magazinimit të gazit natyror në listën e zezë ruse
Artikulli tjetërRama për opozitën iraniane: Janë këtu për arsye humanitare, jo politike