TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka përditësuar testet për Certifikatën e Aftësimit Profesional (CAP) duke i bërë ato më të thjeshta dhe duke e bërë procesin më objektiv.
DPSHTRR bëri të ditur se testet e reja do të nisin të zbatohen nga 1 tetori.
Ky rishikim është i pari pas vitit 2016, vit ky kur ka filluar certifikimi i drejtuesve profesionistë të mjeteve të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, kusht i direktivave të BE.
Në pyetësorin e rishikuar janë pasqyruar ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me transportin e mallrave dhe udhëtarëve që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe, si dhe janë bërë përmirësime në formulimin e fjalive.
Janë hequr nga pyetësori shumë fjali që janë të ngjashme me njëra tjetrën ose mund të linin vend për keqkuptime dhe mund të shkaktonin ngatërresa në përgjigjet e tyre.
Janë ndarë pyetësorët në dy lloje: “Pyetësori CAP për mallra” dhe “Pyetësori CAP për udhëtarë”, pasi deri tani kjo ndarje bëhej vetëm nga sistemi i testimit në momentin e formulimit të testit.
Kjo ndarje u mundëson drejtuesve të mjeteve që kanë fituar lejedrejtimi të kategorive D1 ose D, sipas akteve të reja lehtësuese në fuqi, nismë e DPSHTRR, direkt nga kategoria B, që të vijojnë përgatitjen për CAP udhëtarësh, pa qenë e nevojshme të ketë njohuri mbi transportin e mallrave, pasi deri në qershor të vitit 2022 lejedrejtimi i kategorive D1 dhe D nuk mund të merrej nga drejtuesit e mjeteve që nuk ishin pajisur me lejedrejtimi të kategorisë C.
“Synojmë rritjen e besimit tek mësimi, eliminimin e çdo hapësire që krijon terren korruptiv”, bën të ditur DPSHTRR.
Nga 3370 fjali të pyetësorit CAP udhëtar, u hoqën 980 fjali, u ndryshuan 406 fjali dhe mbeten 2390 fjali. Nga pyetësori CAP mallra që kishte 3370 fjali, u hoqën 560 fjali, u ndryshuan 553 fjali dhe mbeten 2810 fjali. Pra kemi rishikuar me 38% pyetësorët CAP, duke eliminuar 24% të fjalive dhe ndryshuar 14% të fjalive.
/r.e/























