TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim deklaroi sot se SHBA mbështet të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të jenë të integruar në Evropë dhe të integruar mes tyre.
E pyetur në një prononcim për mediet pas një konference për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së në lidhje me “Ballkanin e Hapur”, Kim u shpreh “se sa i përket Ballkanit të hapur pozicioni i SHBA-ve është shumë i qartë dhe nuk duhet të jetë as surprizë as kontrovers për njerëzit”.
“Ne mbështesim të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të jenë të integruar në Evropë dhe të integruar mes veti”, tha Kim.
“Dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet, përfshirë Ballkanin e Hapur, në mënyrë që të jenë konsekuente dhe të kontribuojnë për procesin e integrimit që udhëhiqet nga BE-ja, dhe që janë gjithashtu të hapur për të 6 vendet e Ballkanit”.
/j.p/r.e/























