Ballina Flash

“Nderi i Qarkut Elbasan” për tenorin Kastriot Tusha

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Tenori Kastriot Tusha u vlerësua nga Këshilli i Qarkut të Elbasanit me titullin “Nderi i qarkut Elbasan”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në sallën e Teatrit “Skampa” kryetari i Këshillit të Qarkut, Bukurosh Stafa i dorëzoi tenorit Tusha titullin, me motivacionin: “Për merita të veçanta dhe kontribut të shquar dhënë në fushën e artit lirik, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si studiues e promovues i këngës qytetare elbasanase, të Shqipërisë së Mesme dhe trevave të tjera shqiptare, duke interpretuar me kualitet të lartë profesional, si intelektual, përfaqësues i denjë i qarkut të Elbasanit”.

Ndërsa kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja në fjalën e tij u shpreh se, “sa herë flas me kolegët e mi jashtë trevave shqiptare për Kastriotin, flasim për ‘Mjeshtrin e Madh’, për personalitetin e tij, që e ka mbajtur fort muzikën shqiptare, por që i këndon shumë qytetit të tij”.

“Për mua është vlerësim i madh kur përfaqësohemi me Kastriotin në të gjitha trevat shqipfolëse, por edhe më gjerë. Kastrioti është gjithnjë i pranishëm në aktivitetet artistike dhe kulturore që në bëjmë në Elbasan”, tha Llatja.

Tenori Tusha promovoi edhe librin e tij të dytë titulluar “Kënga popullore qytetare elbasanase”, kushtuar traditës së folkut elbasanas.

Tusha u shpreh se “ideja për të shkruar një libër i ka lindur shumë vite më parë”.

Kastriot Tusha ka një karrierë të lavdishme sa i takon muzikës klasike dhe për promovimin e vlerave tradicionale e artistike në mbarë vendin.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakElbasan, nis projekti “100 qytetet inteligjente për ndryshimet klimatike”
Artikulli tjetërMSHMS: 95 të infektuar me COVID-19 në 24 orët e fundit