TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi takimin me temë: “Rinia dhe Diversiteti – Roli i Administratës Publike dhe Punësimet e të Rinjve”. Në takim morën pjesë Milva Ekonomi, ministër Shteti për Standardet dhe Shërbimet, Kleina Kasanai, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Geldi Belba, koordinator projekti.
Diskutimi me të rinjtë e Kongresit Rinor Kombëtar iu referua kryesisht reformës dhe sfidave në Administratën Publike dhe se sa e hapur është kjo e fundit ndaj nevojave të të rinjve dhe diversitetit.
Ministrja Ekonomi, u shpreh se “qeveria shqiptare tashmë i ka krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme për angazhimin e te rinjve në administratën publike dhe se veç meritokracia, rezultatet e larta të arritura gjatë studimeve, e përgatitja e duhur akademike janë baza e çdo aplikimi të suksesshëm.”
Nga të dhënat e DAP tregohet se sot janë punësuar në administratën publike mbi 600 studentë ekselentë, 434 prej të cilëve mbas konkurrimit kanë fituar statusin e nëpunësit civil.
“Më vjen mirë që Tirana këtë vit si kryeqyteti europian i rinisë ja ka dalë të zhvillojë aktivitete të panumërta dhe i ka dhënë zë të rinjve, që realisht të besojnë se e ardhmja pavarësisht sfidave është këtu në Shqipërinë tonë europiane”, u shpreh ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, në një postim online.
Në përfundim të aktivitetit, të rinjtë drejtuan pyetje dhe më pas vizituan ekspozitën “Ukraina në 10 orë” nga Ben Blushi.
Ekspozita e hapur prej disa javësh në COD, rrëfen përmes artit të fotografisë, të vërtetat e një lufte që ende vazhdon.
/j.p/r.e/






















