TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) bën të ditur se 133 punëkërkues janë mbështetur për të hapur sipërmarrjet e tyre përgjatë periudhës 2021-2022.
AKPA informoi se afati për të aplikuar për t’u bërë pjesë e programit të vetëpunësimit është data 18 tetor.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë po synon të mbështesë përmes një programi vetëpunësimi, të papunët e regjistruar që kanë një ide biznesi. Programi subvencionon për të gjithë të përzgjedhurit si përfitues grant për ngritjen e biznesit.
Ky program ka si qëllim nxitjen e vetëpunësimit nëpërmjet krijimit të sipërmarrjeve të reja të punëkërkuesve të papunë të interesuar. Ai zbatohet dhe administrohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë si përgjegjëse për çështjet e punësimit përcakton çdo vit prioritetet për programet e nxitjes së punësimit sipas zonave gjeografike, sektorëve ekonomikë dhe nevojave të punëkërkuesve.

/j.p/r.e/












