TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA ka identifikuar se së fundmi në programet audiovizive informative po zënë vend dhe publikime të të dhënave që janë siguruar nga hakerimi në sistemet e teknologjisë së informacionit të disa prej institucioneve publike.
Në një njoftim për shtyp, AMA thekson se “mes informacioneve që po shpërndahen ka dhe të dhëna sensitive, që lidhen me sekrete hetimore nga institucionet dhe agjencitë e rendit dhe sigurisë publike, deri dhe dokumente me elementë të cenimit të sigurisë kombëtare, sipas përfaqësuesve të prokurorisë që po hetojnë rastet”.
“Duke respektuar standardin e veprimtarisë së lirë audiovizive, apo të pavarësisë editoriale në hartimin dhe prodhimin e katalogëve të programeve nga subjektet e licensuara, AMA, ka pritmëri që redaksitë të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare”, nënvizon AMA.
AMA thekson se “fakt është një pjesë e OSHMA-ve nuk kanë preferuar të publikojnë të dhënat sensitive me elementë të cenimit të sigurisë kombëtare, duke respektuar kështu dhe kërkesat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës dhe duke mos rënë pre e synimeve të sulmuesve kibernetikë”.
Autoriteti i Mediave Audiovizive bën apel dhe kërkon që dhe nga OSHMA të tjera të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues.
/k.s/j.p/r.e/












