Ballina Ekonomi

AMF forcon rregullat për mbrojtjen e investitorëve

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nxjerr për konsultim publik ndryshimet në rregulloren “Për vlerësimin e përshtatshmërisë së klientit”, hartuar në zbatim të ligjit për tregjet e kapitalit.

Ndryshimet janë bërë pas sugjerimeve të ekspertëve të huaj, të cilët në kuadër të një projekti të mbështetur nga Banka Botërore, po asistojnë AMF-në në plotësimin e kuadrit ligjor përmes hartimit të të gjithë akteve nënligjore, në zbatim të ligjit për tregjet e kapitalit.

AMF bën të ditur se, ndryshimet e propozuara në rregullore rrisin kërkesat për vlerësimin e përshtatshmërisë së klientit, përpara se investitori të marrë vendim për të investuar në instrumente që janë me risk, ose të papërshtatshëm për shkak të njohurive të tij të pamjaftueshme.

Ndryshimet e rregullores konsistojnë kryesisht në hartimin e një testi të plotë, i cili përmban gjithë elementët e nevojshëm për kryerjen e një vlerësimi të drejtë të përshtatshmërisë së klientit, në rastin kur shoqëria komisionere/banka, ofron shërbimin e marrjes, transmetimit dhe ekzekutimit të urdhrave të klientit.

Këto ndryshime marrin rëndësi të veçantë për mbrojtjen e klientit joprofesionist, në rast se ky i fundit dëshiron të investojë në obligacione të ofruara përmes ofertës private.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTirana në Javën Europiane të Lëvizshmërisë
Artikulli tjetërDy investime për projekte infrastrukturore në Pogradec