TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, zhvilloi sot një vizitë në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë për të shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mbretëreshës Elizabeth II.
E shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Alastair King-Smith, Kushi la edhe një mesazh në Librin e Ngushëllimeve të ambasadës.
“Mbretëresha Elizabeth II do të mbetet gjithmonë simbol i unitetit dhe përkushtimit, jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe botën mbarë. Në Ambasadën britanike në Tiranë, me nderim dhe respekt i shpreha ngushëllimet Ambasadorit britanik, SH.T.Z. Alastair King- Smith, për ndarjen nga jeta të Madhërisë së Saj”, tha Kushi në një postim në rrjetet sociale.
Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërroi jetë në 9 shtator në Balmoral në moshën 96-vjeçare, pasi mbretëroi për 70 vjet. Ajo erdhi në fron në vitin 1952 dhe dëshmoi ndryshime të mëdha shoqërore.
/r.e/






















