TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Në kuadër të “Ditëve të Trashëgimisë”, në Berat janë organizuar një sërë eventesh me fokusin tek ruajtja e trashëgimisë kulturore.
Në Muzeun Etnografik, dje pati një paradë veshjesh popullore, ndërsa më pas eventet vijuan me një koncert nën tigujt bizantinë të korit të psaltëve “Shën Joan Kukuzeli”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka qenë e pranishme në këto evente kulturore, në qytetin e Beratit.
Ajo gjithashtu nënshkroi së bashku me kryetarin e bashkisë Berat, Ervin Demo, marrëveshjen me qëllim lehtësimin e burokracive që qytetarët hasin në zbatimin e projekteve të tyre, që lidhen me Bonusin e Rijetëzimit.
Berati është qyteti që është mbështetur më shumë nga ky vit i parë i Bonusit të Rijetëzimit.
Nga 41 fitues të Bonusit, nga Berati përfitojnë 10 aplikantë (8 rijetëzime dhe 2 mirëmbajtje).
“Si vit i parë kemi hasur dhe në vështirësi, ndaj edhe kjo marrëveshje me bashkinë e Beratit, do të shërbejë që procedurat të ecin më shpejt dhe të ngrihen kantieret e restaurimeve”, është shprehur ministrja Margariti.
“Bonusi i Rijetëzimit” është një nismë që do të vazhdojë edhe në vitet pasardhëse. Qëllimi i kësaj nisme është rijetëzimi i qyteteve me trashëgimi kulturore të spikatur.
Berati ka gjithë potencialin për të qenë një kryeqendër e turizmit kulturor, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e qytetarëve të tij.
/r.e/































