Ballina Aktualitet

Begaj merr pjesë në takimin e liderëve të procesit të Brdo-Brijunit

TIRANË, 11 shtator/ATSH/Presidenti i Republikës, Bajram Begaj niset sot drejt Lubjanës për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit që do të zhvillohet më 11-12 shtator 2022.

Sipas njoftimit për shtyp të presidencës, takimi i Liderëve zhvillohet në një moment kyç për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe për të ardhmen evropiane të vendeve të këtij rajoni.

Takimi do të fokusohet në përshpejtimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe në çështjet e bashkëpunimit rajonal, sigurisë energjetike dhe sigurisë ushqimore pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

Në këtë takim, të organizuar nga bashkëdrejtuesit e këtij procesi, Presidentët e Sllovenisë dhe të Kroacisë, marrin pjesë të gjithë krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë takim të rëndësishëm rajonal, Presidenti Begaj do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologët e vendeve të tjera pjesëmarrëse në Procesin e Brdo-Brijunit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇuçi: Rivihet në punë sistemi TIMS në 6 pika kufitare
Artikulli tjetërKosovë, 6 raste të reja me COVID-19