TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu renditi disa nga detyrat e parlamentarëve, por dhe politikanëve në tërësi, për të ‘shpëtuar’ vendin nga korrupsioni e krimi.
Sipas Mediut, Kuvendi duhet të kthehet në rolin kushtetues.
“Shqipëria po përjeton momente të vështira, jo vetëm ekonomike. Kemi detyrim urgjent, si parlamentarë, garantimin e një reforme zgjedhore ku deputetët nuk zgjidhen nga partitë politiken por nga qytetarët. Garantimet dhe mundësin për të zgjedhur të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, një sfidë tjetër është reforma territoriale, që duhet të garantojë pushtetin në duar të popullit”, tha Mediu.
Sipas tij, korrupsioni dhe krimi janë kthyer në sistem dhe dominojnë jetën publike.
“Shqipëria po përballet me një krizë ekonomike të pandalshme që po varfëron shqiptarët. Kriza e besimit në shoqërinë shqiptare, që reflektohet në largimin masiv të të rinjve dhe intelektualëve. Kjo krizë vetëm po varfëron dhe po e plak shoqërinë tonë. Kuvendi për fat të keq duhet t’i rikthehet rolit kushtetues dhe jo të shërbejë si apendiks i qeverisë”, tha Mediu.
Sot, vijoi ai, për fatin e keq nuk ka dallim ndërmjet krimit dhe biznesit.
“Ne frymëzojmë për fat të keq këtë situatë. Është detyrë primare e qeverisë që në mënyrë të shpejtë të përcaktojë politikat ekonomike familjare dhe të bizneseve. Hapëm pas shumë kohësh negociata me BE po s’po gjejmë dot kurajën si politikë, Kuvend, si qeveri për të afruar anëtarësimin e integrimit”, u shpreh ai.






















