Ballina Flash

Çuçi: Licensimi i basteve online mbron konsumatorin

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot se “duke qenë në një terren tërësisht të paligjshëm, veprimtaria e basteve online e ngre konsumatorin tërësisht në dorën e atij të paligjshmit”.

Gjatë një dëgjese publike të zhvilluar nga Kryeministri Edi Rama për problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre, Çuçi tha se “duke qenë të paregjistruar, të palicensuar, të paligjshëm, nëse një konsumator fiton një shumë të caktuar, pronari i paligjshëm i kësaj platforme mundet lehtësisht ta injorojë konsumatorin dhe të mund të mos i kthejë lekët dhe konsumatori nuk ka ku të mbrohet se është e paligjshme e gjithë veprimtaria”.

“Duke i licencuar krijohet marrëdhënia me shtetin dhe vetë konsumatori është i mbrojtur dhe ka ku të kërkojë të drejtën nëse i shkelet nga biznesmen që merret me këtë aktivitet. Kjo gjë do të çojë në formalizimin apo dëshirën për t’u formalizuar, sepse çdo konsumator do të dëshirojë të luajë në një terren të mbrojtur nga shteti”, theksoi Çuçi.

Ministri Çuçi vuri në dukje se “ky është një aspekt shumë i rëndësishëm, sepse është edhe aspekt kriminal, pasi krijohet edhe një konflikt tjetër pastaj me një borxh të fshehur ku shteti nuk di kë të kontrollojë dhe mund të çojë në konflikte të tjera kriminale”.

“Imagjinoni çfarë përmase ka, që nga 2019 nga statistikat që përdori zëvendësdrejtori i Policisë kemi mesatarisht 300 raste penale të ndjekur nga policia me rreth 2 mijë të pandehur apo të çuar për ndjekje penale. Çfarë marrëdhëniesh paligjshmërie krijohet me një masë të madhe konsumatorësh me këta operatorë”, tha Çuçi.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDuka: Të ardhurat nga bastet, të investohen për infrastrukturë sportive
Artikulli tjetërFrashëri: 8 mijë kërkesa për mbyllje e web-eve të basteve në 2019, që nga janari vetëm 92