TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Biblioteka publike “Qemal Baholli” në Elbasan tani do të ketë një hapësirë të re online për ofrimin e shërbimeve të saj digjitale, duke vijuar më pas me arkivimin e të gjitha materialeve të brishta, koleksioneve të vjetra me synimin për t’i bërë ato më të aksesueshme për publikun.
“Falë bashkëpunimit me Albanian Canadian Development Alternative, kemi hedhur hapin e parë në digjitalizimin e të gjithë fondit tonë arkivor të institucioneve kulturore dhe arsimore të qytetit të Elbasanit”, thotë kryebashkiaku Gledian Llatja.
Biblioteka e Elbasanit radhitet ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron, e cila prej shumë vitesh aplikon edhe sistemin e digjitalizimit.
Biblioteka shquhet jo vetëm për veprat e rralla por edhe për koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para Luftës II Botërore. Ajo numëron rreth 200 000 libra e koleksione periodikësh, në gjuhën shqipe e të huaj.
Krahas pasurimit me libra, biblioteka rrit çdo ditë shërbimin ndaj lexuesve të qytetit dhe numrin e aktiviteteve të saj. Biblioteka publike “Qemal Baholli” është një vepër bamirësie e Nazif Bahollit, ish-pronar i njohur i qytetit të Elbasanit në vitin 1930. Mbas vitit 1945 fondi i saj u pasurua me bibliotekën albanologjike e ballkanologjike, pronë e Lef Nosit, intelektual, atdhetar, politikan e studiues elbasanas.
/m.m/r.e/























