Ballina Ekonomi

Siguria e ashensorëve, ISHMT penalizon 5 subjekte

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ushtroi gjatë kësaj jave një sërë inspektimesh me qëllim verifikimin e zbatimit të kërkesave ligjore nga subjektet për ofrimin e produkteve, pajisjeve të sigurta për konsumatorin, si dhe për respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Gjatë kësaj jave, sipas ISHMT-së, janë kryer mbi 100 inspektime dhe monitorime në treg, ku fokus ishte siguria e ashensorëve në përdorim dhe vlerësimi i konformitetit të tyre në përputhje me kërkesat ligjore.

Sipas ISHMT-së, gjatë inspektimeve të kryera, janë vendosur 5 masa administrative, gjobë me vlerë 200 000 lekë, pasi nuk është bërë dorëzimi i dokumentacionit nga ana e importuesve.

Bëhet e ditur se pranë ISHMT-së, gjatë kësaj jave është paraqitur një ankesë për sigurinë e ashensorëve. ISHMT informoi se nga ana e inspektorëve është kryer menjëherë procedura e verifikimit të sigurisë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 643, 2.10.2019 “Për sigurinë e ashensorëve në përdorim” përcakton se çdo ashensor duhet të regjistrohet dhe t’i nënshtrohet kontrollit teknik nga një trupë e autorizuar.

ISHMT risjell në vëmendjen e administratorëve, por edhe banorëve të pallateve se, asnjë ashensor nuk duhet të jetë në përdorim, nëse nuk është certifikuar nga një trupë e akredituar dhe nuk është regjistruar pranë ISHMT-së.

Nga ana tjetër ISHMT thotë se po vijon vijon mbikëqyrja e tregut për monitorimin e zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike mbajtëse me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi, me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kg, me trashësi nën 70 mikron.

ISHMT bën të ditur se prioritet është rritja e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë mbi kriteret ligjore që duhet të zbatojnë në fushën e sigurisë së produkteve joushqimore dhe pronësisë intelektuale dhe të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNjë i vdekur dhe 166 raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërRama: Parkimi nëntokësor në qendër të Beratit, gati brenda këtij viti