Ballina Flash

Merkel nderohet me çmimin Nobel për Paqen

PARIS, 23 gusht /ATSH-DPA/- Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel u nderua sot me çmimin “Nobel për Paqen 2022” të UNESCO-s, për përpjekjet e saj për të mirëpritur refugjatët.

“Të gjithë anëtarët e jurisë u prekën nga vendimi i saj i guximshëm në 2015 për të mirëpritur mbi 1.2 milionë refugjatë, veçanërisht nga Siria, Iraku, Afganistani dhe Eritrea. Kjo është trashëgimia që ajo lë”, deklaroi presidenti i jurisë dhe fituesi i “Çmimit Nobel për Paqen 2018”, Denis Mukwege.

Drejtoresha e përgjithshme e organizatës kulturore të OKB-së, Audrey Azoulay, vlerësoi gjithashtu Merkelin, duke thënë se fitorja e saj shërben si një kujtesë se mënyra në të cilën ne i trajtojmë migrantët dhe refugjatët mbetet një çështje kritike.

Çmimi i Paqes “Félix Houphouët-Boigny-UNESCO”, mban emrin e ish-presidentit të Bregut të Fildishtë.

Që nga viti 1989, ai u jepet çdo vit individëve, organizatave ose institucioneve që japin një kontribut të veçantë për të promovuar, hulumtuar ose siguruar paqen.

Nuk është vendosur ende se kur do t’i dorëzohet çmimi ish-kancelares Merkel, e cila u largua nga politika vitin e kaluar pas katër mandatesh si kancelare e Gjermanisë.

Kur Evropa u godit nga kriza e refugjatëve në 2015, Merkel hapi kufijtë e vendit të saj duke shpallur politikën e saj për migracionin dhe refugjatët, “Wir schaffen das” – “Ne mund ta bëjmë këtë”. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLuiza Gega, 100 milionë lekë (të vjetra) shpërblim si kampione dhe rekordmene evropiane
Artikulli tjetërRama: Luiza Gega na dhuroi imazhin e një Shqipërie që ia del