TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Në qytetin e Beratit ka nisur puna për rikonstruksionin e 17 pallateve në lagjen “Çlirim”.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili thekson se pas rikonstruksionit pallatet do të jenë më të ngrohta në dimër dhe më të freskëta në verë.
“Lagjet e Beratit kanë shumë kohë që nuk shohin asnjë investim që ndryshojnë plotësisht realitetin. Gjejmë shpesh pallate të amortizuara duke i dhënë pamjen e lagjeve të harruara. Tashmë kjo po ndryshon. Radha sot është e lagjes Çlirim në rajonin nr 1”, u shpreh Demo në një postim në rrjetet sociale.
Kryebashkiaku Demo thekson se “përveç bukurisë së fasadave, aty do të bëjmë termoizolimin për të rritur eficiencën energjetike. Pallatet do të jenë më të ngrohta në dimër dhe më të freskëta në verë. Me këtë investim, vetë banorët do të jenë tashmë pronarë të një apartamenti që do të kushtojë më shumë para”.
Demo bëri të ditur se shumë shpejt do të kemi ndërhyrje të tjera në rajonin 1, të cilat do e kthejnë nga një lagje me problematika të shumta në një lagje të rigjeneruar.
Berati me trashëgiminë kulturore, historinë, natyrën,arkitekturën, është kthyer në një ndër destinacionet më të preferuara për turistët. Me investimet që po kryhen Berati do të tërheqë akoma më shumë vëmendjen e vizitorëve.
/k.s/r.e/























