TIRANË, 9 gusht /ATSH-I.Vata/ Policia Rrugore e Dibrës vijon masat e shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Përgjatë javës, Policia Rrugore ka arrestuar në flagrancë dy drejtues automjetesh të cilët janë konstatuar duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur dhe janë proceduar në gjendje të lirë dy të tjerë të cilët drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.
Gjithashtu janë proceduar administrativisht 348 drejtues automjetesh të cilët janë konstatuar duke kryer shkelje të Kodit Rrugor, dhe konkretisht janë vendosur: 36 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit; 27 masa administrative për shkelje të sinjalistikës rrugore; 66 masa administrative për parakalime të gabuara; 115 masa administrative për pushim/qëndrim të gabuar; 7 masa administrative për përdorim të aparateve telefonike; 13 masa administrative për përdorim të pijeve alkoolike;5 masa administrative për mos vendosje të kaskës mbrojtëse, 10 masa administrative për mosdhënie përparësie këmbësorëve, 8 masa administrative për manovra të gabuara, 61 masa administrative për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
“Janë pezulluar 5 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit”, thuhet në njoftim. /j.p/












