TIRANË, 5 gusht/ATSH/- Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja si dhe drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të DEA në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillojnë në SHBA.
Sipas njoftimit për shtyp nga SPAK, në takim u fol për bashkëpunim më efektiv, shkëmbim eksperiencash të informacionit me qëllim rritjen e efektivitetit të goditjes së grupeve kriminale që trafikojnë substanca narkotike.
Kraja ka theksuar se “SPAK është i vendosur që të garantojë ndëshkim ndaj kujtdo dhe ndaj çdo pasurie me prejardhje nga trafiqet e drogës”.
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, së bashku me prokurorin e posaçëm, Vladimir Mara dhe Drejtoreshën e BKH-së, Aida Veizaj po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Washington të SHBA-së. Ata do takohen me zyrtarë të Departamentit Shtetit, Departamentit të Drejtësisë, FBI dhe institucione të tjera të zbatimit të ligjit në SHBA.
Qëllimi i vizitës është prezantimi i SPAK dhe arritjeve të tij, si dhe forcimi i bashkëpunimit të SPAK me institucionet e zbatimit të ligjit në SHBA, me synim rritjen e intensitetit të ushtrimit të ndjekjes penale ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe konfiskimit të aseteve kriminale në Shqipëri.






















