Ballina Flash

Plazhi i Tales, i aksesueshëm nga të gjithë pushuesit

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Plazhi i Tales, vetëm 7 km larg rrugës nacionale Tiranë – Lezhë është një ndër plazhet më të  frekuentuara jo vetëm nga pushuesit vendas, por edhe të huaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, që këto ditë vere ka tërhequr mijëra pushues.

Kumbaro shprehet se plazhi i Tales në Lezhë, në një vijë prej 7 kilometrash nga fillimi i lagunave deri në nisje të deltës së lumit Mat, dhuron gjithë mrekullinë e natyrës për pushuesit me plazhe fantastike të aksesueshme nga të gjithë.

Plazhi i Tales htrihet nga cepi i lagunave Kune – Vain deri në fillim të deltës së lumit Mat dhe vlerësohet si një plazh familjar për qetësinë që ofron.

Nga një zonë e virgjër, gati-gati e panjohur për shumëkënd, vitet e fundit plazhi i Tales ka filluar të frekuentohet dendur nga pushues edhe përtej Shqipërisë.

Në jug të zonës gjendet plazhi Tale 2, ende i pazbuluar nga shumica e turistëve. Ngjyra e rërës është e zezë dhe kjo tregon për vlerat kuruese të saj dhe faktin e mosshfrytëzimit.

Akoma më në jug, delta e lumit Mat prezanton një ambient natyror mjaft të këndshëm dhe atraktiv dhe të përshtatshëm për sportet e aventurës.

/k.s/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjirokastra, destinacion i turistëve polakë
Artikulli tjetërMV – Komisioni Rregullator për Energjetikën rrit çmimin e ngrohjes