Ballina Flash

Gati planet e menaxhimit për qendrën historike dhe kalanë e Prizrenit

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Janë gati për zbatim të dy planet e menaxhimit për qendrën historike të Prizrenit dhe kalanë e Prizrenit. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Pas aprovimit dhe publikimit të planeve të menaxhimit, janë zhvilluar një numër takimesh konsultuese me palët e interesit.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka emëruar komisionin mbikëqyrës për qendrën historike të Prizrenit dhe njësinë menaxhuese për kalanë e Prizrenit.

Njësia menaxhuese për kalanë e Prizrenit përbëhet nga përfaqësues të MKRS, IAK dhe Komunës së Prizrenit dhe është përgjegjëse për administrimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe promovimin e kalasë së Prizrenit, duke mundësuar shfrytëzimin si hapësirë multifunksionale, në përputhje me vlerat e trashëgimisë kulturore.

Komisioni mbikëqyrës për menaxhimin e qendrës historike të Prizrenit përbëhet nga përfaqësues të institucioneve qendrore, lokale dhe të shoqërisë civile, dhe ka për detyrë koordinimin e veprimeve për të siguruar zbatim efikas të prioriteteve dhe objektivave të paraqitura në planin e veprimit dhe menaxhimit për qendrën historike të Prizrenit.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFord Model A i vitit 1931, mjeti më i vjetër në regjistrin historik
Artikulli tjetërBici: 15 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 26 zjarrfikëse në terren