Ballina Aktualitet

Dosja Gërdeci, Gjykata Kushtetuese rrëzon Mediun

TIRANË, 27 korrik /ATSH-I.Vata/ Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen Gërdeci.

Ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, i ishte drejtuar Kushtetueses me kërkesë “shfuqizimi i vendimit nr. 1106, datë 21.12.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nr. 99 datë 19.07.2022, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga: Vitore Tusha, kryetare dhe Elsa Toska e Sandër Beci, anëtarë, në datën 19.07.2022 mori në shqyrtim paraprak kërkesën nr. 4 (F) 2022 të Regjistrit Themeltar me kërkues Fatmir Mediu.

Objekti i kërkesës ishte shfuqizimi i vendimit nr. 1106, datë 21.12.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese pasi dëgjoi relatorin e çështjes Sandër Beci, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO e Apelit), me vendimin nr. 205, datë 24.09.2021, ka vendosur revokimin e vendimit të pushimit të hetimeve dhe kthimin e akteve Prokurorit të Posaçëm për të proceduar, në bazë të nenit 329/c, pika 3, të KPP-së, pasi imuniteti parlamentar në kohën e procesit të ngritur ndaj kërkuesit përbënte thjesht një pengesë të përkohshme procedurale për procesin penal, i cili duke qëndruar i pushuar përpara Kolegjit të Gjykatës së Lartë, me rënien e kushtit rifillonte ndjekja penale.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Chamber Fest Durrës” mbyll siparin me muzikën e Shtrausit
Artikulli tjetërMeta: “Beteja e Stalingradit” për të shpëtuar Shqipërinë ka filluar