Ballina Aktualitet

Gjiknuri: Shqipëria ka zgjedhur të jetë vend i BE-së dhe pjesë e NATO-s

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot, konferenca me temë “Sfidat e sigurisë dhe riformimi i gjeopolitikës”, me pjesëmarrjen e drejtueseve të institucioneve të linjës dhe të ftuarve të huaj nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

I pranishëm në këtë konferencë, Sekretari i Përgjithshëm, i PS-së Damian Gjiknuri, solli në vëmendje gjeneralin James L. Jones, si një zë të fuqishëm, që ka ditur të japë perspektivë për ngjarje globale.

Gjiknuri theksoi se, “eksperienca e tij dhe roli që ai ka pasur dhe sidomos në pozicionin e tij në North Atlantic Council, janë një pikëpamje e vyer për t’u ndarë dhe me kolegët këtu në rajon, se çfarë perspektivash ne do të zgjedhim, se si ne me njëri-tjetrin do të bëjmë më shumë, që paqja dhe siguria dhe në këtë pjesë të Europës të jetë e sigurt, por mbi të gjitha perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe demografik të jetë e qartë”.

“Lufta në Ukrainë apo agresioni rus në Ukrainë, është pikërisht ajo që disa filluan ta thonë, është fundi i atij globalizimit dhe demokracisë pa limit që të gjithë mendonin se do të ishte e ardhmja botërore dhe fillimi i ndarjes së botës në pole që bazohen në vlera të caktuara. Nga njëra anë janë vlerat euroatlantike perëndimore që të gjithë i pranojmë që përfaqësohen nga vendet e NATO-s, nga boshti euroatlantik, por jo kudo e shohin kështu dhe ne po shikojmë një Rusi që afrohet më shumë me Kinën. Po shikojmë një botë tjetër arabe që dikur ka qenë shumë me Shtetet e Bashkuara, por tashmë nuk do të zgjedhë pozicionim, përkundrazi shikon oportunitetet e saj për të përfituar nga kjo situatë”, u shpreh Gjiknuri.

“Shqipëria dhe vende të tjera të vogla gjenden në udhëkryqin se çfarë zgjedhjesh do të bëjmë. Zgjedhja është e qartë, ne kemi zgjedhur të jemi vend i Bashkimit Europian, kemi zgjedhur të jemi pjesë e NATO-s, pjesë e të njëjtës infrastrukturë sigurie. Por kjo është shumë e rëndësishme që pikërisht këto vlera të prevalojnë në këto kohë të vështira”, deklaroi Gjiknuri.

Sipas tij, agresioni rus një gjë e bëri të mirë, që e forcoi më shumë NATO-n, e ndryshoi konceptin e saj strategjik, e vuri përsëri Rusinë si një nga kërcënimet themelore, e pa përsëri Kinën si një sfidante nga pikëpamja strategjike.

Në këtë kontekst, theksoi ai, varet se sa fort do të qëndrojë Bashkimi Europian në këtë pozicionim të ri të presioneve ekonomike që vijnë nga thellimi dhe zgjatja e kësaj lufte.

Gjiknuri tha se, Ballkani Perëndimor dhe vendet tona duhet të bashkëpunojmë më shumë, të mos e marrim paqen të mirëqenë, të shikojmë që siguria nuk është një gjë që mbetet aty.

“Unë mendoj që nga forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe përfshirja e këtij rajoni me se s’bën qoftë dhe për arsye gjeopolitike, qoftë për arsye gjeostrategjike, çfarëdolloj emri t’i themi, në Bashkimin Europian, është e vetmja e ardhme e sigurtë e këtij rajoni. Ndryshe, rrugët e tjera do të jenë të pasigurta. Dhe natyrshëm që demokracia të zhvillohet, do zhvillim ekonomik”, deklaroi ai.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSezoni turistik, Çuçi: Zero tolerancë për muzikën përtej orarit
Artikulli tjetërMbrojtja e mjedisit, IUCN: Shqipëria, hapa pozitivë në zbatimin e politikave